Ligji nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" hoqi njoftimin te Komisioneri, por i dha atij më shumë mjete për të kontrolluar. Plani i punës së Komisionerit për vitin 2026 ka në qendër zbatimin e plotë të ligjit të ri, me inspektime në shëndetësi, ndërtim, farmaci, transport dhe arsim, si dhe inspektime tematike te siguruesit dhe te ofruesit e shërbimeve online.
Çfarë kërkon inspektori. Një inspektim nis zakonisht me një kërkesë me shkrim për dokumentet që ligji ju detyron të mbani, si regjistri i përpunimit (record of processing activities, RoPA), kontratat me përpunuesit (data processing agreement, DPA) dhe njoftimet e privatësisë. Çfarë duhet të përmbajë secili e shpjegojmë te Mbrojtja e të dhënave: detyrimet që kompanitë shpesh i anashkalojnë. Inspektori pyet edhe për masat e sigurisë, për rregulloren e brendshme dhe për mënyrën si trajtohen kërkesat e personave për të dhënat e tyre.
Çfarë gjendet më shpesh. Dokumentet ekzistojnë, por nuk përputhen me atë që ndodh në praktikë: regjistri përshkruan sisteme që nuk përdoren më, kamerat janë vendosur pa rregulla të qarta dhe askush në kompani nuk e di kush përgjigjet për të dhënat.
Si të jeni gati:
1. Bëni një kontroll të brendshëm. Kaloni detyrimet një nga një dhe shënoni çfarë keni, çfarë mungon dhe kush merret.
2. Përgatitni dosjen e inspektimit. Mbajini dokumentet në një vend, të përditësuara dhe të gatshme për t'u dorëzuar.
3. Caktoni një person kontakti. Një person i vetëm komunikon me inspektorët dhe mban listën e dokumenteve që jepen.
4. Mos improvizoni. Kur nuk e dini përgjigjen, kërkoni kohë dhe përgjigjuni me shkrim.
5. Trajtoni gjetjet si plan pune. Një plan korrigjimi me përgjegjës dhe afate tregon se kompania e merr seriozisht detyrimin.
Çfarë të bëni tani. Nëse jeni në një nga sektorët që Komisioneri ka vendosur në plan, mos prisni njoftimin për inspektim. Një kontroll i shkurtër tregon shpejt ku qëndroni.